iMedia
shprehje te vjetra shqiptare
  • 21/10/2020
  • author
  • 0
Gjuha shqipe është e pasur me shprehje, aforizma e fjalë të urta. Të padëshifrueshme ndoshta për shtetas të huaj, shumë nga shprehjet tona janë të lidhura me të shkuarën, traditat dhe kulturën tonë.
Për t’i dhënë këtyre shprehjeve të vjetra një “modern twist”, menduam t’i lidhim disa prej tyre me elementët që e bëjnë një biznes të suksesshëm, sidomos përsa i përket strategjisë dhe  marketingut.
P.S. Për një efekt humoristik, po përfshijmë dhe përkthimet fjalë për fjalë në gjuhën angleze.

Mos u mundo të nxjerrësh dhjamë nga pleshti 

“Do not try to extract fat from the flea”

Shumë biznese kanë dëgjuar që i nevojitet marketing. Thuajse të gjithë klientët e tyre potencialë janë online. Por shpesh bizneset mundohen “të nxjerrin dhjamë nga pleshti” duke pritur rezultate bombastike në periudha shumë të shkurtra. Po, një strategji e mirë marketingu mund të fillojë të japë frytet e veta brenda javës, por duhet kohë për të ndërtuar një themel të fortë dhe për t’i ofruar një super eksperiencë ndjekësve apo vizitorëve të “shtëpisë suaj dixhitale.

Mate shtatë herë, e pri një herë 

“Measure seven times, cut once”

Si mund ta dimë nëse diçka funksionon apo jo nëse nuk masim në mënyrë konkrete dhe strategjike rezultatet e saj? Një prej arsyeve pse email mbetet një nga metodat e preferuara të rritjes së shitjeve është pikërisht matja konkrete e rezultateve që ofron.
Edhe pse ndoshta matja dhe analizimi i rezultateve nuk duhet kryer 7 herë siç shprehja e vjetër propozon, ne sërish duhet të masim dhe të njohim faktorët kyç të suksesit.
Jo, nuk janë as pëlqimet (“likes”) dhe as numri i ndjekësve (“followers”) që e bëjnë një biznes të suksesshëm, ka shumë faktorë të tjerë që duhen matur dhe krahasuar.

Ai s’e ha sapunin për djathë

“He does not eat soap for cheese”

E kuptojmë, disa biznese janë ende tradicionale (“old school”) duke besuar se strategjia dixhitale nuk ka ndonjë vlerë të madhe, që nuk nevojiten kalendarë kontenti apo metoda të komplikuara reklamimi.
Ata mund të kenë marrë përsipër të menaxhojnë vetë rrjetet e tyre sociale, por mendojnë se një post çfarëdo do jetë mjaftueshëm.
Por kjo nuk mjafton më, shumica e përdoruesve i njohin shumë mirë platformat që përdorin si Instagram apo Facebook dhe e dinë që shumë kompani po luftojnë për vëmendjen e tyre.
Ata “nuk e hanë sapunin për djathë”.
Kontentit kreativ, interesant, origjinal dhe me vlerë është më i rëndësishëm se kurrë.

Gurë gurë, bëhet kalaja

“Stones stone, becomes the castle”

Komunikimi online dhe strategjia dixhitale nuk mund të ndërtohen duke vendosur një gur (p.sh. një postim të vetëm) dhe duke shpresuar për një kala (p.sh. që kjo të mjaftojë për të rritur shitjet).
Konsistenca e tonit që ju përdorni në komunikim, qoftë në rrjete sociale, qoftë në website, qoftë në përgjigjet që ju i ktheni klientëve, është një rrugëtim i gjatë, por tej mase i vlefshëm dhe i rëndësishëm.
Për të ndërtuar një audiencë besnike që pret me dëshirë shërbimet, produktet, “update” (përditësimet) tuaja, duhet t’i jepni në mënyrë konsistente kontent interesant dhe përfshirës.
Kjo shprehje në anglisht gjendet si “Rome wasn’t built in a day” (Roma nuk është ndërtuar brenda ditës).

Ata kanë gjetur tenxherja kapakun

“They have found the pot lid”

Kjo është ajo për të cilën duhet të synoni- të tërhiqni në faqen e biznesit tuaj pikërisht ata për të cilët produkti apo shërbimi juaj është i duhuri.
Në mënyrë që të dini cila është audienca e synuar (“target audience”), duhet të krijoni një strategji për pikat dhe shërbimet që i interesojnë disa “target persona” (personave target) të biznesit tuaj.
Duke analizuar dhe njohur karakteristikat e klientëve tuaj idealë, do të dini pikërisht se çfarë t’i ofroni atyre.
Këto janë 5 shprehje të vjetra shqiptare të shpjeguara në një mënyrë të lidhur me strategjinë, marketingun dhe një biznes të suksesshëm.
Cilën kemi harruar dhe do të shtonit? Na thoni më poshtë.

ABOUT THE AUTHOR

Delfina Hoxha

Delfina është shkrimtarja e iMedia. Lexoni artikullin e rradhës të mërkurën tjetër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *